Selam Alejkum (Mirë se vini)

Përgjigje disa paragjykimeve

Shumë njerëz, nuk gabojmë të themi edhe një numër mjaft i madh i muslimanëve, kanë një botëkuptim të gabuar rreth Islamit dhe mësimeve të tij.

Vështrimin që ia bëjnë ata Islamit, duke u munduar ta krahasojnë atë me ideologji, fe dhe sisteme të tjera në kokat e tyre, arrijnë në përfundim që mund ta përmbledhim me këto fjalë:

Me të vërtetë kjo fe është një fe që thërret në moral, ndalon padrejtësinë dhe gënjeshtrën, thërret në pastërti, por me gjithë këto të mira, prapë se prapë, ai në vete bartë një bagazh tepër të madh të dispozitave dhe ligjeve.

Urdhëresat dhe ndalesat në Islam janë të vendosura, pothuajse, në çdo çështje, në çdo kohë dhe për çdo person që pranon të jetë pjesëtar i kësaj feje.

Në aspektin e ushqimit dhe pijes kemi dispozita ku myslimani nuk lejohet për të ngrënë çfarë të dojë, gjithashtu edhe të pijë.

Veprat të cilat i manifeston duhet patjetër të jenë të reduktuara dhe të kontrolluar në formë strikte, nuk lejohet të bëjë punë dhe vepra sipas shijes dhe dëshirës personale vetëm se konform dispozitave ekzistuese.

Në të folurit e muslimanit ka ligje, të cilat nuk lejohet t’i tejkalosh, pra duhet të kesh kujdes se çfarë dhe si flet.

Ajo që e vështirëson edhe më shumë çështjen është ajo se myslimani nuk lejohet të japë mendime si të dojë, apo të ketë ide e teza dhe të flasë rreth tyre vetëm se konform mësimeve islame.

Ligje dhe ndalesa në të folur, ushqyer, veprime dhe mendime, të gjitha këto i bëjnë ata të arrijnë në përfundimin se vërtet Islami edhe nëse mund të themi se ka ndonjë të mirë, ai ‘definitivisht’ është një fe që ‘cenon’ lirinë  personale të çdo individi, është fe ku ka ‘diktaturë’ dhe ‘nepotizëm’.

Kështu ata gjykojnë apo më mirë të themi se paragjykojnë dhe shumë prej tyre shprehin edhe indinjatë  të qartë duke thënë se çfarë kënaqësie mund të ketë njeriu në atë fe kur ai u nënshtrohet gjithë këtyre ligjeve të stërmbushura me ndalesa dhe urdhëresa.

Duke i pasur parasysh të gjitha këto paragjykime dhe të njëjtën kohë edhe frymën që mbretëron në kohët tona, fryma e liberalizmit të plotë, e cila i bëri ata të mendojnë në këtë formë, do të mundohemi ta trajtojmë këtë dyshim që i vishet Islamit, i cili është i pastër nga kjo dhe akuza të ngjashme.

Para së gjithash do të ndalemi te çështja që është më e “patolerueshmja”, sipas tyre, çështja e fundit që njeriu duhet të jetë i lirë të mendojë çfarë të dojë dhe kjo cenon lirinë e njeriut. Të themi për një moment se çdo njeri duhet të jetë i lirë ta shprehë mendimin e tij, pa marrë parasysh sa vulgar apo e rrezikshme mund të jetë ajo. Të mendojë çfarë të dojë, të shpikë ide e teza si të dojë dhe çdo ndërhyrje në këtë cenon personalitetin e personit.

Të themi se kjo duhet të jetë ashtu dhe nuk i lejohet asnjë autoriteti të ndërhyjë në konkluzat personale që mund t`i ketë njeriu.

Por nëse e shohim realitetin, atëherë e kuptojmë se të parët që nuk i përmbahen kësaj thirrjeje janë vetë ata. E shohim në idetë, qëndrimet dhe konkluzat e tyre kur flasin, thirren dhe argumentohen me qëndrimet e njerëzve si: Hegeli, Frojdi, Kanti, Ruso, apo më herët kur krenoheshin të bazohen në  mendimet e Marksit, Engelsit, e besa edhe të Leninit.

Allahu i Lartësuar kur e krijoi njeriun, e bëri atë të mos jetë absolut që çdo gjë ta ketë pikënisje vetveten, por ai është i varur dhe ka nevojë  për tu saktësuar, drejtuar, korrigjuar dhe përmirësuar nga dikush, përndryshe nuk mund të jetë i suksesshëm dhe efektiv në jetë.

Njeriu në këtë proces ka mundësi të përzgjedhë si mbështetës, korrigjues ndonjë nga njerëzit e përmendur më lartë, apo edhe dikë tjetër të papërmendur, të cilët padyshim kanë qenë të mençur dhe të arritur, por jo edhe të pagabuar.

Gjithashtu ka mundësi të përzgjedhë mbështetës dhe korrigjues të vetin Krijuesin e tij dhe Krijuesin e të gjithëve, Ai i cili e krijoi njeriun dhe e përsosi atë në krijim,[1] Ai i cili e di rrjedhojën e çështjeve në të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Ai i cili nuk gabon kurrë dhe çdo gjë realizohet me dëshirën e Tij.

Pretenduesit, të cilët mendojnë se thërrasin në liri të plotë të njeriut, nuk thërrasin në asgjë tjetër vetëm që njeriu të zhvishet nga çdo e çmuar e të shenjtë dhe ta bëjnë zot  dhe adhurues të vetin epshin e tyre. Ta ndalojnë veten vetëm në atë që u thotë epshi i tyre dhe ta urdhërojë veten në atë që u urdhëron epshi.

Të tillët janë ata që kanë pranuar që peshojë të së mirës dhe së keqes ta kenë epshin dhe vlerat më të ulëta të tyre e të mos njohin asgjë dhe ta barazojnë veten e tyre me kafshët. Allahu i Lartësuar thotë: “...Ata kanë zemra që me to nuk kuptojnë, ata kanë sy që me ta nuk shohin dhe ata kanë veshë që me ta nuk dëgjojnë. Ata janë si kafshët, bile edhe më të humbur, të tillët janë ata të marrët.” Araf, 179.

Vërtet idetë e tilla thërrasin në mospërfilljen e çdo rregulli dhe rebelimin ndaj çdo sistemi.

Prandaj dispozitat islame, në përgjithësi, urdhëresat dhe ndalesat, përveç që për muslimanin vërtetojnë nënshtrim ndaj të vetmit Krijues të tij, i cili është i Vetmi i denjë për këtë, në vete përmban edhe urtësi të shumta dhe dobi për njeriu. Nuk ka asnjë ligj i vendosur për njeriun e që nuk është në dobi për të.

Allahu i Lartësuar nuk ka nevojë për ne, ashtu si nuk përfiton asgjë nga veprat që ne urdhërohemi apo ndalohemi. E tërë kjo është për të mirën e njerëzimit dhe suksesin e tyre në këtë botë dhe në botën tjetër.

Edhe ata që e mohojnë këtë realitet vërejmë në jetën e përditshme të tyre se thërrasin për rregull, sistem dhe ligj të cilit do t’u nënshtrohen të gjithë  dhe kështu veprojnë. Por dallimi ndërmjet tyre dhe neve është se ne kemi pranuar që përpiluesi i ligjeve tona të jetë Allahu i Lartësuar, kurse ata dëshirojnë të jenë vet ligjvënës të sistemit të jetës së tyre. Kështu i tejkalojnë kufijtë duke menduar se janë duke arritur diçka, por e tërë ajo është shkatërruese për ta.

Besimtari nuk është sikurse ata që marrin nga dispozitat ato që u përshtaten epsheve të tyre dhe i lenë të tjerat.

Për këtë muslimani krenohet me këtë përzgjedhje dhe është në kulminacion të bindjes se kjo zgjedhje është ajo e vetmja me të cilën do të përparojë, pasi ai korrigjues të vetin nuk pranoi ta ketë dikë tjetër, vetëm se Allahun e Lartësuar.

Prandaj edhe esenca e domethënies së fjalës “musliman” aludon në këtë, që kur njeriu i thotë vetës unë jam musliman “i nënshtruar”, nënkupton se unë nuk pranoj t`i përulem dhe nënshtrohem askujt, pa marrë parasysh se kush është ai njeri, qoftë mbret, sundues, kryetar shteti, njeri i mençur, i pasur, por unë i nënshtrohem vetëm Atij që është Krijues i të gjithë këtyre dhe Krijues i gjithë të tjerëve. Dhe çdo gjë që manifestohet nga unë do të jetë në përputhje me atë që na ka drejtuar Ai, në dorën e të cilit jemi të gjithë ne dhe tek i cili do të rikthehemi.

Ribij bin Amër, një nga sahabët e nderuar, i cili ka qenë delegues i muslimanëve për të negociuar me udhëheqësin e ushtrisë së perandorisë persiane, kur pyetet nga ky se çfarë janë duke kërkuar muslimanët që i janë kundërvër perandorisë persiane të luftojnë kundër tyre, pasi ajo në atë kohë ka qenë superfuqi botërore, përgjigjet: “Allahu na ka dërguar t`i nxjerrim njerëzit nga adhurimi i njerëzve në adhurimin e Krijuesit të njerëzve dhe ta nxjerrin njerëzimin nga ngushtica e kësaj bote në gjerësinë e saj dhe nga errësira e feve (sistemeve) të kota në drejtësinë islame.”

Këtu vërehet themeli i “monoteizmit” për të cilën mburremi ne muslimanët pasi kjo na bënë të veçohemi nga të gjithë.

Të krishterët dhe çifutët pretendojnë se janë me ne në këtë monoteizëm dhe mundohen ta klasifikojnë veten e tyre së bashku me Islamin në këtë, karshi feve që arrijnë idhujtarinë ekstreme, por praktika e tyre dëshmon se devijimi i tyre fillon në esencën e perceptimit të këtij monoteizmit.

Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe vërtetë xhamitë janë vetëm për të adhuruar Allahun, e mos adhuroni në to askënd tjetër së bashku me Allahun” Xhin, 18.

Dhe kështu veprojnë muslimanët, a ke parë ndonjë xhami të vendosur fotografi të Muhamedit (alejhi selam) apo ndonjë idhulli të adhurohet? Jo, pasi muslimanët nuk i shoqërojnë askënd Allahut në adhurim, as engjëjt më të afërt të Tij, e as të Dërguarit më të dashur të Tij. Derisa të tjerët në vendet ku pretendojnë se adhurojnë Zotin e tyre, gjejmë duke adhuruar së bashku me Të, të Dërguarit, engjëjt, njerëzit e thjeshtë dhe skulptura të ngurta që nuk lëvizin. Allahu i lartësuar thotë për idhujt që i adhurojnë ata: “...Nëse miza ua rrëmben atyre (idhujve) ndonjë send, ata nuk do të mund ta shpëtojnë atë prej saj. I dobët është edhe lutësi (idhujtari) edhe i luturi (idhulli).” Haxh, 73.

Search site

Punuar nga Talha Raka © 2008. Të gjitha të drejtat i mban autori.