Selam Alejkum (Mirë se vini)

Dispozita mbi Namazin e vitrit

Falënderimi i takon Allahut, Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Salavatet e selamet qofshim mbi të Dërguarin e fundit Muhamedin (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!).

Vlera e namazit të vitrit

Namazi i vitrit ka vlerë të madhe, për faktin se i Dërguari i Allahut nuk e linte asnjëherë, madje edhe duke qenë udhëtar, e kjo, më së miri, na dëshmon për vlerën e këtij namazi.

Norma e këtij namazi

Vitri është sunet muekede (i fortë).

Koha e tij

Ekziston konsensus (ixhma) i dijetarëve se koha e këtij namazi nuk fillon vetëm  se pas jacisë e vazhdon deri në mëngjes. Ebu Busrete (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Vërtet, Allahu ju ka shtuar edhe një namaz, faleni atë në mes të jacisë dhe mëngjesit”. Shënon Ahmedi.

Koha më e vlefshme për faljen e tij

Vonimi i faljes së tij, deri në fund të natës, është më i vlefshëm për atë që është i sigurt se do të zgjohet. Argument për këtë kemi hadithin të cilin e transmeton Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Kush ka frikë se nuk do të zgjohet në fund të natës, le ta falë atë në fillimin e saj, e kush shpreson të zgjohet, le ta falë në fund të saj’. Shënon Muslimi.

Numri i rekatëve të këtij namazi

Sa i përket numrit të rekatëve të këtij namazi, nuk ka numër të përkufizuar, por më e pakta është një rekat, duke u mbështëtur në fjalën e të Dërguarit të Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!): “Vitri është një rekat në fund të natës’. Shënon Muslimi. Kjo nuk është e urryer, pasi i Dërguari ka thënë: “Kush dëshiron ta falë vitrin  një rekat, le ta bëjë këtë’. Shënon Ebu Daudi.

Ndërsa më e vlefshme është njëmbëdhjetë rekatë. I falë dy nga dy dhe e përmbyll me një. Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut i falte njëmbëdhjetë rekatë dhe e mbaronte namazin me një rekat vitër. Shënon Muslimi.

Është e lejuar të falen edhe më shumë se trembëdhjetë rekatë, duke u bazuar në fjalën e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem): “Namazi i natës falet dy nga dy rekatë e nëse ke frikë agimin e mëngjesit, atëherë fal një rekat’. Shënon Buhariu.

Leximi në këtë namaz

Në këtë namaz është e preferuar të lexojmë, në rekatin e parë, suren “Sebih ismi rab bikel a’ala”, në të dytin “Kul ja ejuhel kafirun” dhe në të tretin “Kul hu uallahu eha”, duke u bazuar në hadithin e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut i lexontë këto sure. Shënon Tirmidhiu.

Duaja e kunutit në këtë namaz

Kunuti në namazin e vitrit është i preferuar dhe nuk është vaxhib (i obliguar). Argument për ligjësimin e tij është se i Dërguari i Allahut e praktikonte atë në këtë namaz (vitr), por nuk e praktikonte shpesh.

Po ashtu transmetohet nga Husejn bin Ali (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i cili ka thënë se më ka mësuar i Dërguari i Allahut disa fjalë që t’i them në namaz të vitrit: “O Zot më udhëzo në atë që më ke udhëzuar…!” Shënon Ebu Daudi.

Koha e leximit të kunutit

Praktikohet në rekatin e fundit të namazit të vitrit, pas përfundimit të leximit të Kuranit dhe para shkuarjes në ruku. Është transmetuar nga i Dërguari i Allahut edhe praktikimi i tij pas ngritjes nga rukuja; të dy janë të sakta.

Kazaja (plotësimi) e atij që i kaluar ky namaz

Shumica e dijetarëve mbështetin mendimin e ligjësimit të faljes së këtij namazi atij që i ka kaluar (kaza), duke u mbështetur në hadithin të cilin e transmeton Ebu Seid el Huderi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush fle ose harron faljen e namazit të vitrit, le ta falë kur t’i kujtohet”. Shënon Ebu Daudi.

Po ashtu, Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush gdhihet e nuk e ka falur vitrin, le ta falë atë çift e jo tek. Nëse ke praktikuar faljen e vitrit tri rekatë gjatë natës dhe ke fjetur ose ke harruar faljen e tij, atëherë e falë atë gjatë ditës, pas lindjes së diellit katër rekatë, dy nga dy, e nëse ke praktikuar faljen e pesë reketëve, atëherë i fal gjashtë, dy nga dy, e kështu me radhë (nëse ke praktikuar shtatë, i falë tetë).

Gjykimi i lënies së këtij namazi

Është pyetur shejhul Islam, Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) i cili ka thënë: “Falënderimi i takon Allahut, vitri është sunet dhe kjo është konsensus në mes të myslimanëve. Kush vazhdon në braktisjen e këtij namazi, dëshmia e tij nuk i pranohet. Vitri është namaz më i vlefshëm se të gjitha namazet vullnetare gjatë ditës si: namazi i duhasë, më i fortë se sunetet e drekës, akshamit e jacisë, madje prej namazeve më të mira pas farzeve. Vitri është prej namazeve më të mira të natës. Allahu e di më së miri”.

Search site

Punuar nga Talha Raka © 2008. Të gjitha të drejtat i mban autori.