Selam Alejkum (Mirë se vini)

Gjërat që e prishin Abdesin

1- Çdo gjë që del prej dy vrimave, qoftë urinë, nevojë e madhe ose erë. Allahu subhanehu ue teala thotë: “Nëse jeni xhunubë, atëherë pastrohuni (lahuni)! Në qoftë se jeni të sëmurë, ose në ndonjë udhëtim, ose ndonjëri prej jush vjen prej vendit të nevojës, ose keni kontaktuar me gratë dhe nuk gjeni ujë, atëherë mësyje (merrni tejemum) dheun e pastër dhe me të fërkoni fytyrat dhe duart tuaja.”1
Resulullahu salallahu alejhi ue selem thotë: “Allahu nuk e pranon namazin tuaj nëse nuk merrni abdest, pasi ta prishni abdestin.” Një njeri nga Hadrameuti i tha: “E ç’është prishja e abdestit?” Ebu Hurejra radijallahu anhu tha: “Dalja e gazrave me zë ose pa zë.”
2
E në këtë pikë hyn edhe lëngu el-medhijj dhe el-vedijj. Abdull-llah Ibn Abbasi radijallahu anhu thotë: “El-menijj, el-medhijj, el-vedijj. Sa i përket menisë, duhet të lahemi krejt pas saj, kurse sa i përket el- medhisë dhe el-vedise, pas daljes së tyre duhet larë organi dhe duhet marrë abdest si për namaz.”
3

2- Gjumi i thellë. Pa marrë para sysh a je ulur në prapanicën tënde ose jo. Transmeton Saffvan Ibn Assali dhe thotë: “Resulullahu salallahu alejhi ue selem, kur ishim udhëtarë, na urdhëronte që mos t’i nxjerrim mestet tona tri ditë dhe tri net, nëse kryenim nevojën e madhe ose të vogël, ose flinim, përveç nëse bëheshim xhunubë.”
4 Në këtë hadith Pejgamberi salallahu alejhi ue selem barazoi gjumin me kryerjen e nevojës së madhe dhe urinimin.
Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Resulullahu salallahu alejhi ue selem ka thënë:
“Syri është lidhësi i qeses, ai që fle le të marrë abdest.”5
Do të thotë se përderisa njeriu është i zgjuar, kontrollon daljen e nevojës dhe të gazrave, por kur e zë gjumi, nuk mund t’i kontrollojë.
6

3- Humbja e vetëdijes, qoftë me pije dehëse, ose nga sëmundja, ngase humbja e vetëdijes është më e rëndë sesa gjumi. Në këtë pajtohen të gjithë dijetarët.

4- Të prekurit e organit pa leckë (direkt) me epsh.
Në lidhje me këtë çështje kemi mendime te dijetarët islamë. Arsyeja e mospajtimit është se për këtë kemi dy hadithe që në shikim të parë mund të mendohen se janë kontradiktore.

1. Hadithi i parë:
Resulullahu salallahu alejhi ue selem thotë: “Kush e prek organin e tij le të marrë abdest.”
7

2. Hadithi i dytë:
Muhamedi salallahu alejhi ue selem me një rast pyetet: “A duhet të marr abdest pasi e preku organin tim?”, e Muhamedi salallahu alejhi ue selem iu përgjigj: “A nuk është ai një pjesë e trupit tënd?”
8

Si sqarim i kontradiktës që duket në shikim të parë në mes të këtyre dy haditheve, mund të themi: Nëse prekja e organit bëhet me epsh, atëherë prishet abdesti, ngase kjo prekje nuk i ngjan prekjes së ndonjë pjese të trupit. Nëse ndodh që kjo prekje të jetë pa epsh, atëherë i ngjason prekjes së gjymtyrëve të trupit dhe hyn në hadithin: “A nuk është ai një pjesë e trupit tënd?”
9
Allahu e di më së miri!

5- Ngrënia e mishit të devesë. Resulullahu salallahu alejhi ue selem thotë:
“Merrni abdest pasi të keni ngrënë mish deveje e mos merrni abdest pasi të keni ngrënë mish deleje.”
10
Transmeton Xhabir Ibn Semure, Allahu qoftë i kënaqur me të, e thotë: “Një njeri e pyeti Resulullahun salallahu alejhi ue selem: “A të marrim abdest nga të ngrënit e mishit të deles?” Resulullahu salallahu alejhi ue selem tha: “Kush do, le të marrë abdest e kush do, le të mos marrë.” E ai pyeti sërish: “E a të marrin abdest nga të ngrënit e mishit të devesë?” Resulullahu salallahu alejhi ue selem tha:
“Po, merr abdest nga të ngrënit e mishit të devesë.”11


Çfarë nuk e prish abdestin


Ekzistojnë disa gjëra për të cilat mund të mendohet, ose disa nga ulematë e nderuar kanë thënë se e prish abdestin, por në fakt nuk është ashtu.

1. Prekja e femrës
Ulematë e medhhebit shafi kanë thënë se prekja e femrës e prish abdestin në përgjithësi, qoftë me epsh apo pa epsh. Kurse medhhebi hanbeli e kanë kushtëzuar që kjo të jetë me epsh.
Ata kanë argumentuar me ajetin:
“...nëse ndonjëri prej jush vjen prej vendit të nevojës, ose i keni prekur gratë dhe nuk gjeni ujë...”12 Ajeti është i qartë se nëse preket gruaja, abdesti prishet.
Ky mendim nuk është i qëndrueshëm, pasi argumentimi me ajetin nuk është me vend. Qëllimi i ajetit këtu nuk është prekja e gruas, por është për qëllim kontakti seksual ashtu si sqarojnë komentuesit e Kuranit.
13
Pastaj kemi një numër hadithesh ku vërtetohet se Muhamedi i prekte gratë e tij dhe shkonte në xhami për t`u falur pa përsëritur abdestin. Madje transmetohet nga Aishja se Muhamedi e puthte atë, pastaj dilte për në xhami pa marrë abdest.
14
Prandaj prekja e femrës nuk e prish abdestin, qoftë me epsh apo pa epsh, dhe ky është mendimi i dijetarëve hanefi dhe i shumë të tjerëve që kanë ardhur më vonë. Por duhet të kihet kujdes, posaçërisht nga të rinjtë, të cilët ngacmohen më shpejt, që të kenë kujdes këtu, pasi nëse rrjedh medhiu, atëherë abdesti prishet.

2. Gjaku dhe qelbi
Është vërtetuar se ka ixhma nëse gjaku del nga dy vrimat (sebilejn), atëherë ai e prish abdestin, pa marrë parasysh a është shumë apo pak, kurse nëse gjaku rrjedh nga ndonjë vend tjetër ka mendime te ulematë.
Mendimi i parë: Mendimi i hanefive, i hanbelive dhe i shumicës së ulemave është se gjaku i cili rrjedh nga trupi e prish abdestin.
Ata kanë argumentuar me këto argumente:
a) Ata kanë argumentuar me një numër hadithesh, sikurse hadithi: “Duhet marrë abdest nga çdo gjak që rrjedh.”
15
b) Thënia e Aliut radijallahu anhu kur i numëroi gjërat që e prish abdestin: “Për shtatë gjëra përsëritet abdesi; (ndër to) gjaku që rrjedh.”
16
c) Gjithashtu ata kanë thënë se gjaku është ndyrësirë dhe pasi del nga trupi, atëherë është i njëjtë sikurse ndyrësira që del nga dy vrimat (sebilejn).

Vërejtje: Medhhebi i hanbelive kushtëzon që sasia e gjakut të jetë e shumtë për të prishur abdestin, kurse hanefitë janë më rigoroz, megjithëse edhe ata thonë se një pikë ose dy pika që rrjedhin nuk e prishin abdestin.
17

Mendimi i dytë: Mendimi i shafive dhe i malikive është se gjaku dhe qelbi nuk e prishin abdestin. Ata argumentuan me këto argumente:
a) Në esencë nuk lejohet të thuhet se gjaku dhe qelbi e prishin abdesin pa argument të qëndrueshëm (Beraetu aslije), kurse hadithet që përmenden për këtë si argumente nga pala tjetër të gjitha janë të dobëta, prandaj edhe nuk është e saktë thënia se gjaku dhe qelbi e prishin abdestin.
b) Vërtetohet në hadithe të shumta se sahabët nuk e kanë konsideruar rrjedhjen e gjakut nga gjërat që e prishin abdesin, ndër to;
- Vërtetohet me një rast se një ensari ishte duke u falur dhe goditet me shigjetë nga larg dhe plagoset, por ai vazhdon namazin derisa goditet me tri shigjeta. Është shumë e qartë se njeriu kur plagoset, gjaku fillon t`i rrjedhë dhe po të ishte e njohur te sahabët se gjaku e prish abdestin, atëherë ai do ta ndërpriste namazin.
18
- Nga Ibën Abasi vërtetohet se i dilte gjak nga hunda dhe ai e pastronte gjakun, pastaj vinte dhe vazhdonte namazin (pa përsëritur abdestin).
19
- Numri i transmetimeve arrin tevaturin se sahabët dhe selefi në përgjithësi faleshin ashtu të plagosur e duke u rrjedhur gjaku dhe nuk vërtetohet se ndonjëri nga ata përsëriste abdestin për shkak të gjakut. Vërtetohet se Hasan el Basriu ka thënë: “Muslimanët vazhdojnë të falen duke qenë të plagosur.”
20
- Ibn Omeri vërtetohet se shpërtheu puçrra në fytyrë, pastaj fali namaz pa përsëritur abdestin. Gjithashtu edhe Omeri vazhdoi namazin duke i rrjedhur gjaku derisa e humbi vetëdijen.
21
c) Argumentimi duke bërë analogji me ndyrësirat që dalin nga dy vrimat nuk është i qëndrueshëm, pasi kjo është në llogari të haditheve të tjera dhe ndyrësira e gjakut nuk është në të njëjtën rang me urinën dhe nevojën e madhe.
Prandaj mendimi më i saktë në këtë është se gjaku nuk e prish abdestin, Allahu e di më së miri.

4. Të qeshurit me zë në namaz

Disa kanë thënë se të qeshurit me zë në namaz e prish namazin dhe abdestin dhe për këtë kanë argumentuar me disa hadithe të dobëta. Por e sakta është se të qeshurit me zë prish namazin, kurse abdestin jo.


Për çfarë duhet marrë abdest


1- Për të falur namaz. Allahu subhanehu ue teala thotë:
ياأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِذَا قُمْتُمْ إِلَى الصَّلَاةِ فَاغْسِلُوا وُجُوهَكُمْ وَأَيْدِيَكُمْ إِلَى الْمَرَافِقِ وَامْسَحُوا بِرُءُوسِكُمْ وَأَرْجُلَكُمْ إِلَى الْكَعْبَيْنِ

“O ju që besuat! Kur doni të ngriheni për të falur namazin, lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja deri në bërryla; fërkoni kokat tuaja, e këmbët lani deri në dy zogjtë…”22
Muhamedi salallahu alejhi ue selem thotë:
“Allahu nuk e pranon namazin pa abdest.”23

2- Për të bërë tavaf rreth Qabes. Muhamedi salallahu alejhi ue selem thotë:
“Tavafi është namaz, përveç se Allahu
(subhanehu ue teala)
e ka lejuar të folurit në të.”24

Vërejtje: Disa nga ulematë kanë thënë se abdesi është vaxhib edhe për prekjen e mus`hafit dhe këtë problematikë e kemi shtjelluar më gjerësisht në një nga temat e mëparshme.


Veprat për të cilat është mustehab që të merret abdest

1- Përmendja e Allahut subhanehu ue teala. Muhaxhir Ibn Kunfudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se një ditë prej ditëve ai i ka dhënë selam Resulullahut salallahu alejhi ue selem e ai nuk ia ka kthyer selamin deri sa mori abdest e pastaj ia ktheu selamin e tha: “Asgjë nuk më ndali të ta ktheja selamin, por unë nuk dëshirova të ta ktheja selamin pa abdest.”
25

2- Para se të flesh. Transmeton Bera bin Azibi, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili thotë: “Resulullahu salallahu alejhi ue selem ka thënë:
“Para se të shtrihesh në shtrat, merr abdest ashtu sikurse merr për namaz, e pastaj shtrihu në anën e djathtë dhe thuaj: All-llahumme eslemtu nefsi ilejke ve fevvedtu emri ilejke ve vexhxhehtu vexhhi Ilejke, ve elxhe`tu dhahri ilejke, rehbeten ve ragbeten Ilejk la melxhe`e ve la menxha minke il-la ilejke, amentu bi kitabik el-ledhi enzelte ve bi nebijjikel-ledhi erselte.
(O Zoti im, unë ta dorëzova Ty shpirtin tim. Ty ta kam dorëzuar çështjen time dhe fytyrën time e ktheva kah Ti. Tek Ti strehova shpinën time. S'ka shpëtim dhe as strehim përveçse te Ti; kam besuar në librin Tënd, të cilin e ke zbritur (Kur'anin) dhe kam besuar lajmëtarin të cilin e dërgove). Nëse vdes atë natë vdes në natyrë të pastër islame. Le të jenë këto fjalët e fundit që thua.”
26

3- Nëse ai që është xhunub dëshiron të hajë ose të pijë, apo të flejë, ose të ketë sërish kontakt seksual. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Resulullahu salallahu alejhi ue selem, kur ishte xhunub dhe donte të hante ose të flinte, merrte abdest sikur për namaz.”
27
Amar Ibn Jasir thotë se Muhamedi salallahu alejhi ue selem ka lejuar që xhunubi të hajë, të pijë, ose të flejë, por të marrë abdest sikurse për namaz.”
28
Ebu Seidi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë se Muhamedi salallahu alejhi ue selem ka thënë:
“Kur ndokush prej jush ka kontakt seksual me gruan e tij dhe do që ta përsërisë, le të marrë abdest.”29

4- Të merret abdest para larjes, pa marrë parasysh se a është larja vaxhib apo sunet. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Kur lahej Resulullahu salallahu alejhi ue selem prej xhunubllëkut, i lante duart, pastaj lante organin, pastaj merrte abdest.”
30

5- Për çdo prishje të abdestit. Burejdeja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Një ditë gdhiu Resulullahu salallahu alejhi ue selem dhe e thirri Bilalin radijallahu anhu e i tha: “Me çka më kalove në xhenet? Dje hyra në xhenet dhe dëgjova zhurmën e nallaneve të tua.” Bilali i tha: “Pas çdo ezani kam falur dy rekate dhe pas çdo prishje të abdestit kam marrë abdest.” Resulullahu salallahu alejhi ue selem tha:
“Për këtë gjë, pra.”31

6- Pas vjelljes. Ebu Derda, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Muhamedi salallahu alejhi ue selem një ditë prej ditësh volli, e prishi agjërimin dhe mori abdest.” Ma’dan bin ebi Talha thotë: “E takova Theubanin radijallahu anhu në xhami të Damaskut e ia përmenda këtë hadith, e ai më tha: “Të vërtetën e ka thënë (Ebu Derda radijalllahu anhu), unë i kam dërguar ujë për abdest.”
32

7- Ai që e mban të vdekurin. Muhamedi salallahu alejhi ue selem thotë:
“Ai që lan të vdekurin, le të lahet, kurse ai që e ka mbajtur, le të marrë abdest.”33

Search site

Punuar nga Talha Raka © 2008. Të gjitha të drejtat i mban autori.