Selam Alejkum (Mirë se vini)

Rregullat e Abdesit

Në disa tema të mëparshme kemi folur për ndyrësirat konkrete dhe kemi shtjelluar format e pastrimit prej tyre, pastaj kemi folur rreth suneteve të natyrshmërisë, që nënkuptonte disa veprime të cilat besimtari i kryen dhe me këtë kujdeset dhe mirëmban trupin e tij.
Në vazhdim do të flasim rreth abdestit, i cili është një rit i domosdoshëm për besimtarin, nëse dëshiron të falë namaz.


Përkufizimi i abdestit


Së pari
: Nga aspektin gjuhësor, në gjuhën arabe abdestit i thuhet “vudu”
1 dhe domethënia e tij etimologjike është shkëlqim dhe zbukurim. Domethënia gjuhësore e kësaj fjale pohohet edhe nga domethënia me të cilën e ka pranuar sheriati, ngase abdesti zbukuron pjesët te të cilat arrin dhe gjurmët e abdestit do të shkëlqejnë Ditën e Gjykimit. I Dërguari alejhi selam thotë: “Pasuesit e mi do të ftohen Ditën e Gjykimit me shenja të bardha, të cilat do t`u shndrisin në ballë, në këmbë dhe në duar nga gjurmët e abdestit.”2
Së dyti: Në aspektin terminologjik, në gjuhën e sheriatit abdesti është adhurim që nënkupton pastrimin specifik të pjesëve të caktuara të trupit për të falur namazin, ose për kryerjen e adhurimeve të ndryshme fetare islame.


Dispozita e abdestit


Abdesti është një nga adhurimet më të rëndësishme të Islamit dhe është një praktikë e përditshme e besimtarit. Ekziston konsensus (ixhma) te dijetarët se abdesti është kusht për faljen e namazit. Ky konsensus është i mbështetur në thënien e Allahut të Lartësuar: "O ju që besuat! Kur doni të ngriheni për të falur namazin, lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja deri në bërryla; fërkoni kokat tuaja, e këmbët lani deri në dy zogjtë."
3
Po ashtu, në këtë rast mund të përmendim edhe fjalën e të Dërguarit alejhi selam, i cili thotë: "Nuk e pranon Allahu namazin e ndonjërit nga ju, derisa ai të marrë abdest."
4


Vlera e abdestit


Ekzistojnë me dhjetëra hadithe që vërtetojnë vlerën e abdestit dhe se çfarë shpërblimesh arrin personi që e kryen këtë adhurim duke qenë i përkushtuar. Ne do të sjellim vetëm disa prej tyre:
I Dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: "A dëshironi t’ju tregoj për një gjë që Allahu me të do t’ju shlyejë gabimet dhe do të ngrihen gradat tuaja?" Ata thanë: "Gjithsesi, o i Dërguar i Allahut." I Dërguari tha: "Përsosja e abdestit në ditët e vështira (në ditët e ftohta apo abdesti i të sëmurit), si dhe ecja e gjatë për në xhami dhe pritja e namazit (tjetër) në xhami pas kryerjes së namazit të mëparshëm. Kjo pra është (ribat) lidhja juaj, kjo pra është lidhja juaj."
5
Transmetohet nga Ebi Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: "Besimtari kur merr abdest; kur lan fytyrën e tij, dalin prej saj bashkë me ujin, apo me pikën e fundit të ujit, të gjitha gjynahet që ka bërë me shikimin e syve të tij dhe kur lan duart e tij, dalin prej tyre bashkë me ujin, apo me pikën e fundit të ujit, të gjitha gjynahet që ka bërë me to. Dhe kështu derisa të dalë i pastër prej gjynaheve."
6
Abdullah ibën Sunebi transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kur robi i Allahut merr abdest dhe e lan gojën, prej tij bien veprat e këqija. Kur ai shpërlan hundën, veprat e tij të këqija bien poshtë. Kur ai lan fytyrën, veprat e tij bien prej saj. Kur ai lan duart, veprat e këqija bien prej tyre. Kur ai fërkon kokën, bien nga ajo. Pastaj e ecura për në xhami dhe namazi i tij janë shpërblim për të.”
7
I Dërguari i Allahut ka thënë: "Kush merr abdest sa më mirë, i dalin atij gjynahet nga trupi, qofshin ato edhe poshtë thonjve."
8


Kushtet e abdestit


Me kushtet e abdestit kemi për qëllim gjërat të cilat duhet të realizohen paraprakisht te personi i cili dëshiron ta kryejë këtë adhurim. Ajo që duhet të kemi parasysh këtu është se këto kushte (sharte), ashtu si do të kuptojmë më poshtë, nuk janë specifike vetëm për abdestin, por për të gjitha veprimet e njeriut, të cilat trajtohen si adhurime, siç janë: abdesti, tejemumi, gusuli, namazi, agjërimi, haxhi, etj.. Këto sharte janë:

1. Islami
- Pra, personi që dëshiron të marrë abdest duhet patjetër të jetë musliman, pasi adhurimi që kryen jobesimtari nuk është i vlefshëm, si namazi , agjërimi, etj.. Të gjitha këto janë të papranuara tek Allahu i Lartësuar derisa ai të mos realizojë kushtin themelor të tyre dhe kjo është hyrja në Islam.

2. Nijeti
(qëllimi)- Dallimi thelbësor ndërmjet veprave të rëndomta dhe veprave që llogariten adhurime është bërja nijet se për çfarë e kryen njeriu atë vepër. Kështu që, para se muslimani të fillojë të marrë abdest, është e kërkuar të bëjë nijet se dëshiron të marrë abdest, të kryejë njërin nga ibadetet e përligjura në Islam, që do të thotë ta kryejë këtë adhurim për hir të Allahut të Lartësuar. Nëse ndonjëri pastron duart, fytyrën, duart deri në bërryla... dhe deri në fund i pastron të gjitha pjesët e kërkuara gjatë abdestit, mirëpo qëllimi i tij ishte freskimi ose flladitja e jo marrja abdest, atëherë ai person nuk llogaritet se ka abdest, pasi nuk u ka bashkangjitur këtyre veprimeve edhe nijetin e abdestit, me anë të së cilës këto veprime bëhen adhurim.
9
Argumente për këtë kemi shumë, mirëpo ne do të përmendim argumentin më të njohur, ku i Dërguari thotë: “Veprat vlerësohen sipas nijetit (qëllimit) dhe çdonjëri shpërblehet në sajë të nijetit të tij.”
10
Koha e bërjes së nijetit është para fillimit të abdestit, por edhe nëse e bëjmë atë pak më herët nuk prish punë. Vendi i qëllimit është zemra, kurse bërja nijet me gojë nuk është e ligjësuar, pasi nuk na është transmetuar kjo nga i Dërguari alejhi selam dhe këtë nuk e ka thënë asnjëri nga katër imamët e njohur. Imam Neveviu thotë: “Nijeti është qëllimi që shpreh vendosmërinë e zemrës.”
11

3. Mendja (logjika)
- Kushti i pranimit të një adhurimi është që ai të bëhet me vetëdije. Prandaj, adhurimi i kryer nga ai që e ka humbur vetëdijen, si i çmenduri, atij që i ka rënë të fikët, i dehuri, etj., është i papranueshëm.


Farzet e abdestit

Farzet e abdestit janë veprimet nga të cilat përbëhet abdesti dhe këto veprime janë të domosdoshme të kryhen që të konsiderohet i saktë abdesti. Këto farze kryesisht nxirren nga ajeti kuranor, ku Allahut xh.sh. ku thotë: "O ju që besuat! Kur doni të ngriheni për të falur namazin, lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja deri në bërryla; fërkoni kokat tuaja, e këmbët lani deri në dy zogjtë."
12


1. Pastrimi i fytyrës


Pastrimi i fytyrës është farz gjatë abdestit dhe kjo vërtetohet me ajetin e lartpërmendur, gjithashtu ajo vërtetohet edhe me sunet dhe në këtë ka ixhma te dijetarët në përgjithësi.
Kurse fytyrë konsiderohet nga lart, prej ku fillon zakonisht dalja e flokëve, deri te pjesa e poshtme e mjekrës, pastaj nga veshi deri në vesh. Është e urdhëruar që e tërë fytyra të lahet, kështu që kushdo që lë diçka nga kjo, ai nuk i bindet urdhrit të Allahut.

*Goja dhe hunda a konsiderohen fytyrë
Te dijetarët ka mospajtim se a konsiderohen goja dhe hunda fytyrë apo jo. Si shkak i kësaj divergjence rrjedh edhe mospajtimi se a është i detyrueshëm pastrimi tyre gjatë abdestit. Ata të cilët kanë thënë se ato nuk llogariten si fytyrë kanë thënë se nuk është e detyrueshme larja e tyre, kurse ata që kanë thënë se janë fytyrë kanë thënë se është e detyrueshme larja e tyre.
Sido që të jetë, të dy mendimet janë të qëndrueshme dhe të mbështetura në argumente, por ajo që do të mund të thuhet këtu është se nuk duhet të neglizhojmë në pastrimin e gojës dhe të hundës gjatë abdestit posaçërisht, pasi për këtë kemi argumente të shumta. Allahu e di më së miri!
13


2. Larja e dy duarve përfshirë edhe bërrylat


Për shkak të thënies së Allahut të Lartësuar: "...dhe duart tuaja deri në bërryla"
14, edhe në këtë ka ixhma. Në këtë larje përfshihen edhe bërrylat, për shkak se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem i lante me ujë bërrylat e tij, ndërsa në një tjetër hadith "ai i lante duart e tij deri në krah"15, që tregon se bërrylat përfshihen në larje. Kurse Imam Shafiu thotë: “Nuk njoh dikë që ka kundërshtuar se bërrylat janë nga pjesa që lahen (gjatë abdestit).”16
Nëse njeriu e ka një pjesë të dorës të këputur, ai lan pjesën e mbetur. Nëse e ka të tërin të këputur deri mbi bërryl, atëherë nuk obligohet të pastrojë asgjë prej saj.


3. Fshirja (dhënia mes`h) e kokës


Me “mes`h”, fshirje, kemi për qëllim që me dorë të lagur të përshkohet koka. Argument për këtë është thënia e më të Lartësuarit: "...dhe fshini kokat tuaja”
17. Edhe në këtë ka ixhma.
Në mes`hin e kokës duhet të kemi parasysh dy çështje:

1. Domosdoshmëria e dhënies mes`h tërë kokës, pasi në ajet thuhet koka duke mos e definuar se deri ku, ashtu sikurse është definuar për duart, kurse praktika e Muhamedit alejhi selam vërteton se tërë kokën duhet ta përshkojmë me fërkim. Të gjitha hadithet të cilat transmetohen nga i Dërguari tregojnë se ai i ka dhënë mes`h tërë kokës dhe në asnjërën prej tyre nuk vërtetohet se i ka dhënë vetëm një pjese të saj, duke lënë anash ndonjë pjesë tjetër.
18

2. Në fshirjen e kokës hyn edhe pastrimi i veshëve, pasi edhe ato konsiderohen pjesë të kokës, ashtu si thotë Resulullahu: "Veshët janë pjesë e kokës.”
19 Edhe vazhdueshmëria e Muhamedit alejhi selam në pastrimin e tyre gjatë abdestit aludon për këtë, prandaj thënia se pastrimi i veshëve është vaxhib gjatë marrjes së abdestit është mendimi më i fuqishëm.


4. Larja e këmbëve deri në nyje


Edhe kjo është e vërtetuar me ajetin: "Dhe shputat tuaja deri në nyje."
20 dhe me hadithe të shumta që arrijnë shkallën e mutevatirit.
Larja e dy shputave së bashku me nyjën (e këmbës), për shkak të thënies së më të Lartit.
Kjo vërtetohet nga hadithet që përshkruajnë abdestin e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem dhe vërtet në to qëndron se nyjat përfshihen në larje.


5. Renditja gjatë pastrimit të pjesëve


Marrja e abdestit sipas renditjes (siç përmendet në ajet), që së pari të lahet fytyra, pastaj dy duart, pastaj të fshihet koka, pastaj të lahen shputat për shkak të thënies së më të Lartit: "O ju që besoni! Kur të përgatiteni për namaz lani fytyrat tuaja, duart tuaja deri në bërryla, fshijeni kokën dhe lani shputat tuaja deri në nyje.”
21
Argumenti se është e domosdoshme renditja nga ky ajet nxirret se Allahu i Lartësuar e futi mes`hin ndërmjet pjesëve që pastrohen dhe qëllimi i kësaj ishte, Allahu e di më së miri, që ato të lahen ashtu si janë përmendur njëra pas tjetrës. Po të mos ishte kjo, atëherë do të mund të cekeshin të gjitha pjesët që lahen së bashku dhe nuk do të futej mes`hi ndërmjet tyre.
Pastaj argument është edhe vazhdueshmëria e të Dërguarit salallahu alejhi ue selam në këtë renditje gjatë marrjes së abdestit. Po të mos ishte obligative, atëherë do ta ndërronte renditjen ndonjëherë për të sqaruar se kjo nuk është vaxhib.
Transmetohet nga Muhamedi alejhi selam se ka thënë: “Merr abdest ashtu si të ka urdhëruar Allahu”
22 dhe nga kjo nënkupton që të jetë renditja ashtu si është cekur në ajet. Pastaj ai salallahu alejhi ue selam me një rast ka thënë: "Allahu nuk do ta pranojë abdestin e ndonjërit nga ju përveç në këtë mënyrë."23


6. El-Mualat


Domethënia e kësaj është se secila pjesë e trupit që është përmendur të lahet njëra pas tjetrës, duke mos pasur intervale kohore të shkëputura ndërmjet tyre. Me fjalë të tjera, që larja e tyre të jetë e njëpasnjëshme, pa ndërprerje të gjatë.
Kjo do të thotë se nëse gjatë marrjes së abdestit, p.sh., arrijmë te pastrimi i duarve deri në bërryla dhe e ndërpresim atë për një kohë, saqë thahen pjesët e lara dhe pas kësaj dëshirojmë të vazhdojmë abdestin aty ku kemi mbetur; kjo nuk lejohet, por duhet ta fillojmë abdestin nga fillimi.
Nëse pushimi është i shkurtër, si p.sh. gjatë abdestit bie telefoni ose zilja dhe ne përgjigjemi pastaj kthehemi, atëherë lejohet të vazhdohet aty ku kemi mbetur. E detyrueshme për ta filluar abdestin nga fillimi është kur intervali i ndërprerjes është i gjatë, aq sa thahen pjesët e lagura.
24
Argument i kësaj është se Muhamedi salallahu alejhi ue selem e urdhëroi ta përsëriste abdestin personin i cili kishte lënë pa larë një vend në këmbën e tij gjatë abdestit të parë.
25
Deri këtu kemi folur rreth farzeve të abdestit. Më tutje do të flasim rreth suneteve.

Search site

Punuar nga Talha Raka © 2008. Të gjitha të drejtat i mban autori.